Ligji i aprovuar per Amnesti ne Republiken e Kosoves

KUVENDI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Në mbështetje të nenit 65 (1 dhe 15) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton:

LIGJI PËR AMNISTINË

I. DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1

Qëllimi dhe fushëveprimi

Ky ligj rregullon kushtet dhe procedurën me të cilën jepet amnisti për personat të cilën janë dënuar për një vepër penale, personat të cilët janë nën ndjekje penale për vepra penale, apo personat të cilët mund të jenë objekt i ndjekjes penale për veprat penale të kryera para 20 qershorit 2013 brenda territorit që tani përbën Republikën e Kosovës.

Neni 2

Amnistia

1. Të gjithë kryesve të veprave penale të listuara në nenin 3 të këtij ligji të cilat janë kryer para datës 20 qershor 2013 u jepet lirim i plotë nga ndjekja penale apo nga ekzekutimi i dënimit, në përputhje me kushtet e parapara me nenin 3 të këtij ligji.
2. Amnistia sipas këtij ligji mund të jepet vetëm në përputhje me procedurat e parapara në Kapitullin III të këtij ligji.

II. KUSHTET PËR AMNISTINË

Neni 3

Kushtet për dhënien e Amnistisë nga ndjekja penale dhe vuajtja e plotë e dënimit
1. Lirohen plotësisht nga ndjekja penale apo vuajtja e plotë e dënimit, kryesit e veprave të mëposhtme penale:
1.1. veprat penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (Gazeta zyrtare e Republikës së Kosovës nr. 19/13 Korrik 2012) dhe atë:
1.1.1 Sulmi kundër rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës (neni 121), përvec në rastet kur kryerja e kësaj vepre penale ka rezultuar në kryerjen e një vepre tjetër penale për të cilën nuk është dhënë amnisti;
1.1.2 Kryengritja e armatosur (neni 122);
1.1.3 Rrezikimi i tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës (neni 125);
1.1.4 Rrezikimi i rendit Kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike
(neni 129)
1.1.5 Spiunazhi (neni 131);
1.1.6 Bashkimi për veprimtari kundër Kushtetuese (neni 134);
1.1.7 Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare (neni 146, paragrafët 1, 2, 3.1 dhe 3.3);
1.1.8 Nxitja e urrejtjes, përcarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik (neni 147);
1.1.9 Ushtrimi i kundërligjshëm i  veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike (neni 262, paragrafi 1);
1.1.10 Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë (neni 333, para 1);
1.1.11 Zjarrvënia (neni 334, para 1);
1.1.12 Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve (neni 374);
1.1.13 Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të veprave (neni 386, vetëm ndërlidhur me moslajmërimin e veprave penale për të cilat jepet amnisti me këtë nen);
1.1.14 Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale (neni 388,
vetëm ndërlidhur me dhënien e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale për të cilat jepet
amnisti me këtë nen);
1.1.15 Thirrja për rezistencë (neni 411) përveq në rastet kur kryerja e kësaj vepre penale ka rezultuar në kryerjen e një vepre tjetër penale. Lirohen nga ndjekja penale apo vuajtja e dënimit edhe kryesit e këtyre veprave penale në vijim të cilat janë kryer me qëllim të kryerjes së veprës penale thirrja për rezistencë:
1.1.15.1 Kanosja e kandidatit (neni 211);
1.1.15.2 Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar (neni 212);
1.1.15.3 Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike (neni 290, nënparagrafët 1.1, 1.2, 1.3, dhe 1.4 të paragrafit 1)
1.1.15.4 Tregtia e ndaluar (neni 305);
1.1.15.5 Shmangia nga tatimi (neni 313);
1.1.15.6 Kontrabandimi i mallrave (neni 317, para 1 dhe 2);
1.1.15.7 Shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore (neni 318);
1.1.15.8 Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e instalimeve publike (neni 366, para 1 dhe 2);
1.1.15.9 Rrezikimi i trafikut publik me veprime apo mjete të rrezikshme (neni 380, para 1,
2 dhe 5);
1.1.15.10 Falsifikimi i dokumenteve (neni 398);
1.1.15.11 Rastet e posacme të falsifikimit të dokumenteve (neni 399, nënparagrafët 1.1 dhe 1.4 te paragrafit 1)
1.1.15.12 Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyratre (neni 409, para 1, 2 dhe 3);
1.1.15.13 Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare (neni 410, para. 1) përveç në rastet kur kryerja e kësaj vepre penale ka rezultuar me lëndim të rëndë trupor ose vdekje, dhe
1.1.15.14 Dispozitat penale të Kodit Doganor dhe Akcizave të Kosovës:
1.1.15.14.1 Pengimi i lëvizjes së Automjeteve të Doganës (neni 296);
1.1.15.14.2 Dhënia e deklaratës së pavërtetë (neni 297);
1.1.15.14.3 Shmangia Mashtruese nga Taksa e Importit dhe Akciza (neni 298);
1.1.15.14.4 Shmangiet Mashtruese nga Zbatimi i Ndalesave dhe Kufizimeve mbi Mallra (neni 299);
1.1.15.14.5 Veprat penale në lidhje me Produktet me Akcizë (neni 300).
1.1.16 Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi (neni 412), përveç në rastet kur kryerja e kësaj vepre penale ka rezultuar me lëndim të rëndë trupor ose vdekje.
1.2 veprat penale sipas Kodit Penal të Kosovës (Rregullore e UNMIK-ut 2003/25, datë 6 korrik 2003, Gazeta zyrtare e Kosovës nr. 2003/25) dhe Rregullores së UNMIK-ut nr. 2004/19 mbi ndryshimin e Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës:
1.2.1 Sulmi kundër rendit juridik të Kosovës (neni 108);
1.2.2 Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose vijës kufitare (neni 114 paragrafët 1 dhe 2, paragrafi 3.1, 3.3 dhe paragrafi 4);
1.2.3 Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik (neni 115);
1.2.4 Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore (neni 221, paragrafi1);
1.2.5 Dëmtimi i pasurisë së luajtshme (neni 260);
1.2.6 Mbajtja në pronësi, në kontroll, në posedim ose në shfrytëzim të paautorizuar të armëve (neni
328, paragrafi 2); si dhe Zotërimi, kontrollimi, posedimi apo përdorimi i armës nga cilido person që nuk ka Leje per armëmbajtje (Neni 8.6 në lidhje me nenin 8.2 të Rregullores së UNMIK-ut 2001/7, datë 21 shkurt 2001, Gazeta zyrtare e Kosovës nr. 2003/7).
1.2.7 Moslajmërimi i veprave penale apo moslajmërimi i kryesit të saj (neni 303, vetëm ndërlidhur me veprat penale për të cilat jepet amnisti me këtë ligj);
1.2.8 Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale (neni 305, vetëm ndërlidhur me veprat penale për të cilat jepet amnisti me këtë ligj);
1.2.9 Thirrja për rezistencë (neni 319) përveç në rastet kur kryerja e kësaj vepre penale ka rezultuar në kryerjen e një vepre tjetër penale. Lirohen nga ndjekja penale apo vuajtja e dënimit edhe kryesit e këtyre veprave penale më poshtë të cilat janë kryer me qëllim të kryerjes së veprës penale thirrja për rezistencë:
1.2.9.1 Keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi (neni 236 paragrafi 1, nënparagrafët 1.1; 1.2; 1.3 dhe 1.4);
1.2.9.2 Tregtia e ndaluar (neni 246);
1.2.9.3 Shmangia nga tatimi (neni 249);
1.2.9.4 Kontrabandimi i mallërave (neni 273);
1.2.9.5 Asgjësimi, dëmtimi apo heqja e instalimeve publike (neni 292 paragrafët 1 dhe 2);
1.2.9.6 Rrezikimi i trafikut publik me veprime apo mjete të rrezikshme (299 paragrafët 1 dhe 2);
1.2.9.7 Falsifikimi i dokumenteve zyrtare (neni 348);
1.2.9.8 Pengimi i personit zyrtar ne kryerjen e detyrave zyrtare (neni 316);
1.2.9.9 Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare (neni 317), përveç në rastet kur
kryerja e kësaj vepre penale ka rezultuar me lëndim të rëndë trupor ose vdekje;
1.2.10 Pjesëmarrja në grup që kryen vepër penale (neni 320), përveç në rastet kur kryerja e
kësaj vepre penale ka rezultuar me lëndim të rëndë trupor ose vdekje.
1.3 veprat penale të Ligjit Penal të KSAK G. Zyrtare nr. 20/77 lidhur me Rregulloret e UNMIK-ut nr. 1999/24 dhe 2000/59 për ligjin në fuqi në Kosovë, në vijim:
1.3.1 Dëmtimi i sendit të huaj (neni 145);
1.3.2 Mbajtja e palejuar e armëve dhe materialit eksploziv (neni 199, paragrafi 1);
1.3.3 Moslajmërimi i veprës penale dhe kryesit (neni 173, vetëm ndërlidhur me veprat penale për të cilat jepet amnisti me këtë ligj);
1.3.4 Ndihma kryesit pas kryerjes së veprës penale (neni 174, vetëm ndërlidhur me veprat penale për të cilat jepet amnisti me këtë ligj);
1.3.5 Nxitja për rezistencë (neni 186) përveç në rastet kur kryerja e kësaj vepre penale ka rezultuar në kryerjen e një vepre tjetër penale. Lirohen nga ndjekja penale apo vuajtja e dënimit edhe kryesit e këtyre veprave penale më poshtë të cilat janë kryer me qëllim të kryerjes së veprës penale thirrja për rezistencë:
1.3.5.1 Keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi (neni 108 paragrafët 1, 2, 3, 4, dhe 5);
1.3.5.2 Tregtia e palejuar (neni 116);
1.3.5.3 Fshehja e tatimit (neni 123);
1.3.5.4 Asgjësimi ose dëmtimi i pajisjeve publike (neni 158);
1.3.5.5 Rrezikimi i trafikut publik me veprime ose mjete të rrezikshme (neni 167);
1.3.5.6 Falsifikimi i dokumentit (neni 203);
1.3.5.7 Falsifikimi i dokumentit zyrtar (neni 184);
1.3.5.8 Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare (neni 183);
1.3.5.9 Sulmi ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes se detyrës zyrtare (neni 184 paragrafët 1, 2 dhe 4), përveç në rastet kur kryerja e kësaj vepre penale ka rezultuar me lëndim të rëndë trupor ose vdekje.
1.3.6 Pjesëmarrja në grup që kryen vepra penale (neni 200, përveç në rastet kur kryerja e kësaj vepre penale ka rezultuar me lëndim të rëndë trupor ose vdekje).
1.4. Veprat penale të parapara me Kodin Penal të Republikës Socialiste Federale të Jugosllavisë, Gazeta zyrtare Nr. 44 e datës 8 tetor 1976:
1.4.1 Cenimi i tërësisë territoriale (neni 116);
1.4.2 Spiunazhi (neni 129);
1.4.3 Nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik (neni 134)

Neni 4

Përjashtimet nga Amnistia

1. Amnistia nga cilado vepër penale e përmendur në këtë ligj nuk do të aplikohet për:
1.1 Veprat kundër akterëve ndërkombëtar dhe forcave ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë.
Anëtarët e forcave ndërkombëtare të sigurisë janë gjithmonë nën jurisdiksionin e shtetit dërgues;
1.2 Veprat të cilat përbëjnë shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare humanitare përfshirë ato vepra penale të Kapitullit XV të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Kapitullit XIV të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës dhe Kapitullit XVI të Kodit Penal të RSFJ 1976.
1.3 vepat penale që kanë rezultuar me lëndim të rëndë trupor ose me vdekje.

Neni 5

Me dhënien e amnistisë nuk preken të drejtat e personave të tretë, të cilat bazohen në dënimin apo aktgjykimin.

III. PROCEDURA PËR DHËNIEN E

AMNISTISË

Neni 6

Njoftimi për gjendjen e personave në mbajtjen e dënimit të cilët i nënshtrohen amnistisë
1. Shërbimi Korrektues i Kosovës është i detyruar që në afat prej shtatëdhjetë e dy (72) orëve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, të njoftojë me shkrim gjykatën e cila ka gjykuar në shkallë të parë për personat e dënuar të cilët gjenden në mbajtjen e dënimit dhe që përfshihen me ligjin e amnistisë.
2. Njoftimi duhet të përmbaj përveq informatave tjera, informatat për datën e fillimit të ekzekutimit dhe të skadimit të dënimit.
3. Gjykata sipas detyrës zyrtare nxjerr vendim për zbatimin e amnistisë në afat prej shtatë (7) ditësh nga dita e pranimit të njoftimit, ndërsa për personin e dënuar i cili nuk ka filluar mbajtjen e dënimit, dendimin për zbatimin e amnistisë gjykata duhet ta nxjerr në afat prej pesë (5) ditësh nga dita e pranimit të kërkesës.
4. Nëse i dënuari mbanë dënimin në shtetin tjetër njoftimi duhet të bëhet përmes Ministrisë së Drejtësisë.

Neni 7

Vendosja për zbatimin e amnistisë nga ekzekutimi i dënimit 1. Për zbatimin e amnistisë vendos gjykata e cila ka vendos në shkallën e parë, me ndihmën e EULEX-it, përkatësisht gjykata që ka kompetencë lëndore dhe territoriale që të gjykojë çështjen e caktuar që i është adresuar asaj:
1.1 sipas detyrës zyrtare; apo 1.2 sipas kërkesës të personit të dënuar, kryesit të veprës penale, prokurorit të shtetit apo të personave të cilët sipas Kodit për Procedurën Penale mund të ushtrojnë ankesë kundër vendimit gjyqësor.
2. Gjykata vendos me vendim me të cilin përcakton pjesën e dënimit nga ekzekutimi i së cilës i dënuari është liruar, nëse me këtë ligj nuk është përcaktuar ndryshe.

Neni 8

Vendosja për zbatimin e amnistisë nga ndjekja penale
1. Në rastet kur është bërë kallëzim penal, është nisur një hetim, apo është ngritur aktakuzë, prokurori kompetent merr vendim për të dhënë amnisti nga ndjekja penale, në përputhje me këtë ligj.
2. Brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, prokurori kompetent do të marrë vendim sipas detyrës zyrtare në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, për të hedhur poshtë kallëzimet penale ose të pushojë hetimet për veprat penale të përcaktuara në këtë ligj.
3. Brenda 60 ditësh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, dënimet e formës së prerë që bien në fushëveprimin e nenit 3 të këtij ligji do të fshihen nga evidenca penale në përputhje me ligjet relevante të aplikueshme

Neni 9

Plotëfuqishmëria e konfiskimit Pavarësisht aplikueshmërisë së amnistisë ndaj çfarëdo vepre penale sipas këtij ligji, nëse një send është konfiskuar në përputhje me ligjin gjatë procedurës penale bazuar plotësisht apo pjesërisht në atë vepër penale, personi i cili përfiton nga amnistia nuk ka të drejtë që ta kërkoj kthimin e sendit të konfiskuar.

Neni 10

Ankesa ndaj vendimeve për dhënien e Amnistisë
1. Kundër vendimeve për amnisti, mund të paraqitet ankesë Gjykatës së Apelit në afat prej shtatë (7) ditësh nga dita e pranimit të vendimit. Gjykata e Apelit nxjerr vendim sipas ankesës në afat prej tre (3) ditësh nga dita e pranimit të shkresave.
2. Ankesa e ndalon ekzekutimin e vendimit.
3. Nëse për shkak të zbatimit të amnistisë i dënuari do të lirohet nga mbajtja e dënimit me burg, gjykata me vendimin e njëjtë do të vendos edhe për lirimin, i cili vendim pa shtyrje i dërgohet Shërbimit Korrektues të Kosovës.

IV. DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 11

Zbatimi subsidiar

Për zbatimin e amnistisë përshtatshmërisht aplikohen dispozitat e Kodit Nr. 04/L-123 të Procedurës Penale, në qoftë se me këtë ligj nuk është përcaktuar ndryshe.
Neni 12
Hyrja ne fuqi
Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Jakup KRASNIQI
_________________________

Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës

No comments: